Ekspozita e re virtuale e PlayUK është e hapur tashmë.

Me edicionin 20/21 të PlayUK afër përfundimit, sot kemi një njoftim final madhor për ju: hapësira e ekspozitës virtuale të PlayUK është e hapur tashmë. Qendra e PlayUK është hapësirë ekspozite virtuale dhe vizitimi që shënon të gjitha bisedat frymëzuese, idetë dhe punën e realizuar si pjesë e PlayUK 20/21 gjatë gjashtë muajve të fundit. 

Kjo hapësirë e re ekspozite digjitale u dizajnua nga ilustruesja dhe dizajnuesja Anđela Janković dhe u ndërtua nga Andrej Jagar në Mozilla Hubs me mbështetjen e Dušica Košarac dhe Edin Ramić. Vizioni i Anđela-s për ekspozitën ishte i guximshëm, i gjallë dhe i hamendshëm, i frymëzuar nga stilet arkitektonike që e rrethojnë atë në Beograd. Pak nga arti dhe idetë e saj të hershme për hapësirën mund t’i shihni këtu.

Nga sot mund ta vizitoni qendrën për ta eksploruar atë vetë ose me miqtë. Në sallën kryesore të qendrës ejani dhe relaksohuni në platenë e bisedave dhe mësoni për eventin e madh të ekspozitës së PlayUK që u mbajt më 24 mars, me bisedat me Ed Fear (Mediatonic), Dajana Dimovska (NapNok Games), Ivan Notaroš dhe një sërë krijuesish të tjerë të njohur të lojërave nga Ballkani Perëndimor dhe MB-ja.

Përmes portaleve të qendrës mund të kaloni me teleportim te stacionet satelite ku mund të mësoni për secilën nga dhjetë bisedat e sallonit të PlayUK që u mbajtën gjatë gjashtë muajve të fundit ose të njiheni me të mentoruarit e PlayUK dhe të zbuloni më shumë për punën dhe idetë e tyre. 

PlayUK  është platformë e British Council që mbështetë kreativitetin në artin digjital, duke ofruar qasje në shkathtësi dhe njohuri të reja, dhe forcon ndërveprimin në mes artit dhe teknologjisë.  Platforma ndihmon në krijimin e lidhjeve të reja në mes profesionistëve nga MB-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në disiplina digjitale dhe arte.

Ndonëse versionet e kaluara të PlayUK janë mbajtur në vend, për shkak të Covid 19, PlayUK 20/21 u shndërrua në edicion online ‘tërësisht digjital’. Nga muaji tetor 2020 deri në mars 2021, programi organizoi një seri të salloneve me folës ekspertë çdo dy javë, lancoi një skemë të re mentorimi që bëri bashkë një grup prej 20 profesionistëve të videolojërave dhe transmetoi drejtpërdrejt një event përmbyllës ekspozite.

Falënderojmë të gjithë, nga folësit e deri te organizatorët e eventit, mentorët dhe të mentoruarit, dizajnuesit dhe zhvilluesit, që e mbështetën PlayUK gjatë gjashtë muajve të fundit dhe e bënë të mundur gjithçka.