PlayUK 20/21 është një program inspirues dhe zbavitës i cili do të sjellë kreativët që punojnë në industrinë e video lojërave nga Ballkani Perëndimor dhe MB. Na u bashkangjitni në seritë digjitale më të reja të PlayUK, dhe ejani në sallonin e parë të bisedave me ekspertë në vazhdën e serive të reja çdo dy javore. Na u bashkangjitni:

PlayUK 20/21 biseda online

Pas disa edicioneve emocionuese nëpër Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë ngjarjet e drejtpërdrejta të mbajtura në qytetet më të mëdha të rajonit gjatë 3 viteve të fundit, si dhe sesionet e suksesshme online të mbajtura nga marsi deri në gusht 2020, British Council ka kënaqësinë t’ju njoftoj se sezoni i radhës i PlayUK është gati të filloj!

PlayUK është platforma e British Council që mbështet kreativitetin në artin digjital, duke ofruar qasje në shkathtësi dhe njohuri të reja dhe duke krijuar dhe forcuar ndërveprimin midis artit dhe teknologjisë. Duke krijuar lidhje ndërmjet profesionistëve në disiplinat digjitale dhe artet nga MB-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, PlayUK eksploron temat si kodimi, hardueri, lojërat dhe performanca, teoria e lojërave, realiteti virtual, inteligjenca artificiale, realiteti i shtuar, animimi, mediat imersive, informatika kreative, dizajni narrativ dhe praktika të tjera digjitale në art, duke formuar një lidhje unike midis sektorëve kreativë dhe të teknologjisë.   

Këtë sezon, jemi të entuziazmuar  të punojmë me Marie Foulston, producente kreative dhe fituese e çmimeve për ekspozita, video lojëra, instalime dhe projekte digjitale inovative, e cila ka dizajnuar një program tërheqës dhe frymëzues për profesionistët e fushës dhe për entuziastët digjitalë. Cilësuar si një ndër 100 femrat më me ndikim në industrinë e lojërave në MB në vitin 2019, Marie punoi si kuratore e video lojërave për V&A, muzeu kryesor i artit, dizajnit dhe performancës në botë. Portfolio e Marie përmbledh vite të tëra bashkëpunimi me studiot më të mëdha të lojërave si Nintendo dhe Naughty Dog dhe angazhimi i saj më i fundit kuratorial në ekspozitën digjitale Videogames: Design/Play/Disrupt është bërë lajm gjithandej.

Me kontributin prej eksperteje dhe prekjen inovative të Marie, edicioni i ardhshëm i PlayUK do të prezantojë një program ndryshe që favorizon mediumin online. Do të vazhdojmë me punëtori për zhvillimin profesional të mbajtura online çdo dy javë, të quajtura ‘sallone’. Këtë vit, po ashtu do të jetë premierë një skemë e përshtatur e mentorimit mes mentorëve nga MB-ja dhe pjesëmarrësve të Ballkanit Perëndimor, duke paraqitur një mundësi unike për projektet dhe ekipet në zhvillim që të punojnë me disa nga ekspertët më të mirë të lojërave në MB. PlayUK do të kulmojë në një ngjarje speciale në formë të ekspozitës online në pranverën e vitit 2021, ku do të prezantohen rezultatet e mentorimit, si dhe përmbajtje shtesë të video lojërave për një gamë të gjërë të entuziastëve të lojërave dhe artit digjital.

Përmes programit tonë aventurier, shpresojmë që edhe njëherë të nxisim këmbim të ideve dhe praktikave në mes MB-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor; të ofrojmë mësim, mentorim dhe mundësi për rrjetëzim për komunitetin e zhvillimit të lojërave në rajon; të inkurajojmë bashkëpunimin midis artistëve dhe profesionistëve të TI-së, dhe si gjithmonë, t’i paraqesim audiencës përvoja të reja.