TEKNOLOGJIA PËR TË MIRËN E PËRGJITHSHME

Dy nxënëse të një shkolle fillore në një qytet të vogël në Serbi (Lazarevac) u frymëzuan aq shumë nga mundësia që ofrojnë pajisjet Micro:bit (kompjuterë dore) saqë krijuan një shpikje që i ndihmoi nxënësit me nevoja të veçanta arsimore në klasë dhe shtëpi, ulën shpenzimet e ujit për shkollën e tyre dhe ngritën vetëdijesimin për autizmin te komuniteti i gjerë.

Shkolla e tyre ishte një nga 135 shkollat që u përzgjodhën për fazën pilot të programit dhe dy vajzat ishin të ngazëllyera për pajisjet Micro:bit qysh nga fillimi. Pas konsultimit me mësimdhënësin, hapi i parë ishte biseda me drejtorin e shkollës për të parë nëse kishte probleme aktuale që mund të përpiqeshin t’i zgjidhnin me këtë teknologji.

Kjo shkollë fillore është e hapur për fëmijët me nevoja të veçanta, me shumë prej tyre të diagnostikuar me autizëm. Ata kuptuan se shumë nxënës harronin të ndalnin ujin kur pinin, e kjo rriste kostot që veç ishin vështirë të përballueshme për një shkollë në një qytet të vogël. Me pajisjet Micro:bit, vajzat patën mundësi të krijonin një sistem alarmi që do ta lajmëronte stafin e shkollës sa herë që një rubinet uji rrinte lëshuar shumë gjatë.

Pajisjet e vogla u mundësuan të mësojnë shkathtësitë e kodimit për të zgjidhur problemet e jetës reale.

Pasi panë rezultatet, vajzat vendosën të kontaktojnë prindërit e miqve të tyre me autizëm, për të sugjeruar mënyra të reja ku mund të përdoren prapë pajisjet Micro:bit për të lehtësuar jetën e tyre të përditshme.

Për pak kohë, e tërë shkolla u përfshi dhe organizoi një ecje përmes qytetit me sloganin ‘Edhe unë ekzistoj’. Gjatë ecjes së organizuar, nxënësit u dhuruan kalimtarëve lule letre të palosura me mesazhe dashurie dhe miqësie. Qëllimi ishte ngritja e vetëdijesimit për personat me autizëm, që janë një prej grupeve më të diskriminuara në mbarë botën.

Programi "Shkollat e shekullit 21" është një program arsimi ambicioz, me kohëzgjatje tre vite dhe vlerë 10 milion funta, i dizajnuar dhe zbatuar nga British Council dhe i financuar nga qeveria e MB-së. Ky program do t’i pajisë një milion nxënës të moshës 10-15 vjeç në Ballkanin Perëndimor me shkathtësi të mendimit kritik, zgjidhjes së problemeve dhe kodimit. U mundëson nxënësve të mësojnë në mënyrë argëtuese, interaktive dhe inovative dhe u jep mundësi të praktikojnë shkathtësitë duke përdorur pajisjet micro:bit.

"DONIM QË PROJEKTI YNË TË NDIHMOJË JO VETËM NXËNËSIT, POR EDHE SHKOLLËN DHE QYTETIN TONË NË TËRËSI."

– NINA, PJESËMARRËSE NË PROGRAM