Mendimi kritik 

Mendimi kritik përfshin shumë shkathtësi komplekse që lidhen me një nivel më të lartë të të menduarit. Është mendim i pavarur që nxjerr ide të reja dhe inovative dhe zgjidh probleme. Nënkupton reflektimin në mënyrë kritike për përvojat dhe proceset e nxënies dhe marrjen e vendimeve efektive duke shmangur grackat e zakonshme, për shembull shqyrtimin e njëanshëm të çështjes, vënien në dyshim të dëshmive që nuk përputhen me idetë tuaja, arsyetimin me pasion e jo logjikë dhe mosmbështetjen e deklaratave me dëshmi.

Në formën e tij më të mirë, bazohet në vlera intelektuale universale që kapërcejnë ndarjet e lëndëve: qartësi, saktësi, precizion, konsistencë, relevancë, dëshmi të arsyeshme, arsye të forta, thellësi, gjerësi dhe paanësi.

Zgjidhja e problemeve

Zgjidhja e problemeve është proces mendor që përfshin aftësinë për të analizuar dhe gjetur zgjidhjen më të mirë për problemin. Përshkruan procesin kur ka një qëllim që pengohet për ndonjë arsye, si mungesa e burimeve, mungesa e informacioneve e kështu me radhë, e që paraqet problem. Çfarëdo që ndërmerret për arritjen e qëllimit të caktuar është zgjidhje e problemit. 

Ka probleme të zakonshme dhe të pazakonshme. Problemet e zakonshme mund të zgjidhen duke përdorur metoda që nxënësit i dinë dhe duke i përsëritur hap pas hapi metodat e mësuara paraprakisht. Problemet e pazakonshme janë probleme për ‘të cilat nuk ka qasje ose mënyrë të paraparë, të aplikuar me sukses ose të sugjeruar nga detyra, udhëzimet e detyrës ose një shembull i zgjidhur’.  Secilit i duhen shkathtësitë e zgjidhjes së problemeve në jetën e përditshme. Nënkupton një grup shkathtësish të cilat, përveç atyre kognitive, përfshijnë shkathtësitë sociale dhe të tjera, duke na ndihmuar të gjejmë shkaqet e problemit dhe zgjidhjet efikase. Për të zgjidhur problemet ne përdorim mendimin kritik dhe kreativ. 

Përfitimet e përvetësimit të shkathtësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve

Përfitimet e mendimit kritik

Mendimi kritik përmirëson fleksibilitetin e nxënësve dhe shkathtësitë e tyre për të mësuar. Nuk e dimë si do të ndryshojë teknologjia deri në kohën kur nxënësit do ta kryejnë shkollën. Përvetësimi i shkathtësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve do t’i përgatitë ata të mësojnë dhe përshtaten më shpejt dhe të jenë në rrjedhë me ndryshimet përkatëse në fushën e tyre të studimit, cilado të jetë ajo.

·         Mendimi kritik e bën mësimin më pak pasiv dhe më interaktiv. Mësimi i nxënësve si t’i qasen në mënyrë kritike  secilës lëndë e bën atë më relevante  për ta. Ju ndihmon të kuptojnë më mirë dhe të përfshihen më shumë me lëndën dhe rëndësinë e saj në jetën e tyre, duke i bërë të ndihen  pjesëmarrës aktivë.

·         Shkathtësitë e mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve e rrisin performancën akademike. Në vend se të mbështeten tek mësimdhënësit dhe klasën për udhëzime dhe orientim, nxënësit me shkathtësi të  mendimit kritik  bëhen më të pavarur dhe orientohen vetë.

·         Mendimi kritik është baza për shkencën dhe një shoqëri demokratike liberale. Shkenca kërkon përdorimin kritik të arsyes gjatë eksperimentimit dhe konfirmimit të teorisë. Funksionimi siç duhet i një demokracie liberale kërkon qytetarë që kanë aftësi të mendojnë në mënyrë kritike për çështjet sociale për të mbështetur mendimet e tyre për qeverisje të mirë dhe për të tejkaluar njëanshmëritë dhe paragjykimet.

Përfitimet e përvetësimit të zgjidhjes së problemeve

·         Nxënësit përfitojnë aftësi për të reflektuar në mënyrë kritike për përvojat dhe proceset e nxënies dhe për të marrë vendime efektive

·         Ndërsa zgjidhin probleme, ata mësojnë edhe shkathtësi të tjera si kreativiteti dhe bashkëpunimi

·         Mendimi kritik lejon që të ndahen faktet nga opinionet dhe ndihmon të shqyrtohen të gjitha alternativat e mundshme për zgjidhjen e një problemi

·         Nxënësit po përgatiten për punë që ende nuk ekzistojnë. Mjedisi i punës po ndryshon shpejt dhe thjesht nuk e dimë se cilat nga punët do të vazhdojnë të ekzistojnë dhe aq më pak çfarë do të kërkohet për to. Punëtorët ka gjasa  të zgjidhen në bazë të aftësive  të tyre për të mësuar shpejt, t’i përshtaten ndryshimeve dhe të punojnë të pavarur, si dhe të jenë në gjendje t’i zgjidhin vetë problemet.