Micro:bit-i është kompjuter në format xhepi që kodohet, i krijuar në MB për të ndihmuar fëmijët e shkollave fillore që të mësojnë kodimin, mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.

Ky kompjuter i vogël por i fuqishëm, përmban  procesor, sensorë akselerometri dhe magnetometri, Bluetooth dhe lidhje me USB, një ekran me 25 LED, dy butona që programohen dhe mund të mbushet me rrymë përmes USB-së ose baterisë së jashtme. Ka dy butona që programohen e që mund të përdoren për të kontrolluar lojërat ose për të pauzuar apo kapërcyer këngët në një listë këngësh.

BBC-ja dhe 25 partnerë të tjerë, përfshirë British Council-in, e kanë dizajnuar këtë pajisje për t’ju ofruar fëmijëve një njoftim tërheqës dhe interaktiv me kodimin dhe për t’ia dhënë kontrollin e teknologjisë një gjenerate të re qysh në 2016. Sot, micro:bit-i përdoret gjerësisht në shkolla në mbarë botën, nga MB-ja, Finlanda dhe Islanda te Singapori e Sri Lanka, dhe tani edhe në Ballkanin Perëndimor.

Përmes pajisjes micro:bit, nxënësit mund të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përditshme dhe të ndjejnë rezultatet e punës së tyre, ndjenjë e cila të jep sensin e arritjes dhe është shpërblyese për ta. Po ashtu i motivon për angazhim të mëtejmë në mësime dhe hulumtime, e kjo nxit interesimin për inovacion dhe ndërmarrësi tek të rinjtë. Problemet që nxënësit duan ta zgjidhin me anë të micro:bit-it mund të jenë të llojllojshme: nga krijimi i detektorëve të thjeshtë të tymit te zgjidhja e problemeve me të vërtetë komplekse që i rrethojnë, si reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit.