Nick Rudkin, Drejtor i biznesit, angazhimit dhe mësimit praktik në Doncaster College, shpjegon se sa e rëndësishme është që kolegjet të punojnë me punëdhënësit për të siguruar që mësuesit janë të azhurnuar me njohuritë e industrisë.

Sfida

Kolegji Doncaster ka ofruar mësim praktik me sukses për një kohë të gjatë, por vitet e fundit kanë paraqitur një botë krejt të re të mundësive dhe ndërlikimeve, duke përfshirë sistemin e ri të financimit të taksave. 

Qeveria e Britanisë së Madhe ka punuar shumë për të promovuar praktikën dhe ka paraparë stimulim për përfshirjen e punëdhënësve, por pas recesionit ekonomik, kishte ende rezerva brenda komunitetit tregtar për investimet në to. Me mangësi të mëdha në aftësi në shumë sektorë të industrisë, na u është dashtë të gjejmë mënyra të reja të angazhimit me punëdhënësit dhe studentët. Ofruesit e profesionit duhet të sigurojnë punëdhënësit se nxënësit nuk janë të shtrenjtë, nuk konsumojnë kohë dhe mund t’iu besohet, ndërsa adresojnë keqkuptimet e studentëve rreth pagave të ulëta, punës jofrymëzuese dhe pa mundësi avancimi.

Zgjidhja e Doncaster-it

Në Doncaster College, kemi prezantuar forume punëdhënësish, të cilat u lejojnë ekspertëve të industrisë të promovojnë zhvillimin e shkathtësive brenda sektorëve të tyre. Kjo na mundëson që të përmirësojmë aftësitë e ligjeruesve tanë, ndërkohë që identifikojmë mundësitë e industrisë për studentët tanë.

Gjithashtu kemi filluar të punësojmë ekspertë të industrisë për të ofruar sesione  “masterclass” në kolegj, dhe dërgojmë ligjeruesit tanë në industri për t'ua kujtuar atyre se çka kërkohet nga vendi i punës në aspektin e sfidave dhe aftësive. 

Industria e ndërtimtarisë është pjesë e qasjes inovative për sigurimin e stafit të kualifikuar, duke përfshirë program trajnimi intensiv për nëntë javë, të përcjellur nga katër javë përvojë pune dhe pastaj përparim në punën praktike. 

Për ta bërë zgjedhjen e studentëve më të lehtë për punëdhënësit, e kemi një ekip të posaçëm të rekrutimit që shpall vendet e lira, përgatit kandidatët për intervista dhe e bën tërë procesin sa më të thjeshtë që është e mundur për punëdhënësit dhe studentët.

Mbështetje nga punëdhënësit dhe studentët

Punëdhënësit po e konsiderojnë procesin si të çmueshëm. Dave Horner, menaxher i operacioneve në Smith Brothers Wholesale Ltd, thotë: "Është me të vërtetë e rëndësishme që të sjellim praktikantë në vendin e punës. Unë kam një fuqi punëtore të madhe, por nuk do të jetë këtu përgjithmonë dhe aftësitë që mund t’i humbasim duhet t’i kthejmë me gjeneratën e re të praktikantëve".

Tasha Jackson është praktikante në marketingun digjital. Ajo tha: "Kam mësuar shumë nga njerëzit rreth meje dhe ndjehem me vetëbesim se po jap kontribut pozitiv për kompaninë. Tani jam e kualifikuar për Nivelin e Katërt, nuk kam ndonjë borxh lidhur me universitetin, dhe gjithashtu kam punë me orar të plotë."

Vegëza të jashtme