". . . Apo kështu na është thënë. Prapëseprapë, në shumë pjesë të botës sistemet e arsimit ende nuk arrijnë që t’i vënë në shfrytëzim praktikat profesionale të ofruara për studentët në kuadër të nevojave të tregut të punës dhe në pajisjen e të rinjve me shkathtësitë relevante për punësim. 

Aktualisht kjo është një çështje madhore gjithashtu edhe në Kosovë. Për të pasur një pasqyrë të qartë për gjendjen aktuale dhe rrethanat e nivelit të angazhimit të punëdhënësve me ofruesit e Trajnimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) në Kosovë, është më së miri që të merren informata rrethanore dhe faktike nga individët dhe institucionet relevante që punojnë në këtë fushë. Kur flitet me punëdhënësit dhe agjencitë e punësimit thuhet që ata vazhdimisht kanë ngritur shqetësimet që të rinjtë po e largohen nga arsimi pa shkathtësitë kyçe për punësim dhe pa njohuri të përgjithshme se si funksionon bota e biznesit. Shumë prej tyre janë të frustruar nga dështimet e bllokut tradicional dy javor të “përvojës së punës” dhe ndajnë mendimin që duhet të bëhet më shumë për të përmirësuar autenticitetin e përvojës së punës dhe cilësinë e angazhimit të punëdhënësit në arsim. 

Që të dyja, nxënia dhe puna, janë duke ndryshuar shpejtë dhe kjo ka implikime për shtigjet e karrierës së individëve. Të rinjtë në shkollat AAP aktualisht përballen me një të ardhme ku do të përjetojnë disa lëvizje nga një vend pune në një tjetër, duke e bërë të domosdoshëm vazhdimin e përditësimit të njohurive dhe shkathtësive. Ata kanë më shumë të ngjarë që të vetë-punësohen në një moment të caktuar në jetën e tyre apo së paku të menaxhojnë disa kontrata me orar të pjesshëm apo të përkohshme për çka është e jetike që të angazhohen punëdhënësit, pasi që ata përballen me kërkesa në rritje për të qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ndikimin në sistemin arsimor. 

Doruntina Jakupi, zëvendës kryeshefe e HeadHunter Group, thotë që: “Në mendimin tim, shkollat AAP duhet të përdorin një kombimin të modeleve të kurrikulave për t’u ofruar nxënësve të tyre përvoja nga bota e punës. Këto mund të përfshihen: 

  • Programi thelbësor, që zakonisht jepet nga personel i specializuar nga punëdhënësi specifik apo tutorët të cilët kanë trajnimin dhe resurset për të dhënë mësime për atë
  • Kontributet nga entitetet që përforcojnë programin thelbësor dhe u ndihmojnë të rinjve që të njohin rëndësinë e nxënies së temës për jetën në moshë të rritur 
  • Aktivitetet e planifikuara në orare siç janë ditët e ndërmarrësisë dhe përvoja e punës.”

Për më tepër, si një ekspert në ngritjen dhe fuqizimin e karrierës, znj. Jakupi beson që shkollat AAP duhet të krijojnë lidhje të forta me punëdhënësit lokal. “Punëdhënësit mund të veprojnë si mentorë dhe vlerësues të nxënësve – dhe të kontribuojnë në dizajnin e vlerësimeve – në ndihmë të formësimit të kurrikulës. Punëdhënësit gjithashtu kontribuojnë drejt specifikimit dhe përmirësimit të shkathtësive për punsueshmëri dhe rezultateve të nxënies. Shkathtësitë e punësimit në këtë rast do të kalojnë nëpër të gjitha aspektet e kurrikulës, nga mënyra se si studentët mësojnë, deri tek kualifikimet të cilat i arrijnë. Punëdhënësit mund të sigurojnë që të rinjtë të zhvillojnë këto shkathtësi duke ndihmuar në formësimin e kurrikulës dhe llojin e kualifikimeve të ofruara në shkollat AAP në Kosovë”. 

Kur flasim me partnerët tonë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, konkretisht me Departamentin për reforma në AAP, pajtohemi që një prej modeleve që me të vërtetë mund të ndihmojë në shtytjen përpara të zhvillimit të shkollave AAP dhe pajisjen e studentëve me shkathtësi që u përshtaten nevojave të tregut të punës – është modeli i punës praktike, pasi që i shtyn të gjitha palët e interesit që të marrin pjesë në planifikimin e programit trajnues, meqë në disa raste mësimdhënia në klasa nuk pasqyron shkathtësitë e nevojshme në tregun e punës. 

Përmes analizës së nevojave për trajnime, punëdhënësi është në gjendje që të identifikojë nevojat biznesore dhe zbrazëtirat në shkathtësi dhe gjithashtu të kontribuojë përmes pjesëmarrjes në komitetet për shkathtësi në sektorë për të zhvilluar standardet profesionale që përshkruajnë nevojat e tregut të punës. 

Punëdhënësit mund të formësojnë kurrikulën. Duke zhvilluar lidhje të forta ndërmjet punëdhënësve dhe ofruesve të APP-së, ajo u mundëson të rinjve që të zhvillojnë shkathtësi bazike për punësim, ndërsa për sistemin e AAP-së ofron një kurrikulë që përmbushë nevojat aktuale të komunitetit biznesor dhe ndihmon në planifikimin për nevojat e ardhshme për shkathtësi. 

Në fund, ne duhet të sigurohemi që ekziston një lidhje ndërmjet sistemit të arsimit e trajnimit dhe punëdhënësve. Punëdhënësit dhe shkollat AAP duhet të mbajnë pjesëmarrje të përbashkët në pajisjen e studentëve me shkathtësitë e duhura për punësueshmëri dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes punës së përbashkët.

Donika Berisha është Menaxhere e Programeve për Këshillin Britanik në Kosovë.