A close up shot showing a woman’s hands writing on a note pad with a mobile phone to the right on the table
©

Poyraz Tutuncu

Mbështetja është esenciale në fillim të karrierës për çdo person të ri dhe ambicioz. Është ajo që i jep shtytjen e duhur atij personi. Si pjesë e programit Media for All, BIRN ofroi mundësinë për dymbëdhjetë persona nga Ballkani Perëndimor që të kenë shancin unik të mësojnë nga më të mirët dhe të punojnë me më të mirët. Për fatin tim të mirë, jam një nga personat që iu dha kjo mundësi e shkëlqyeshme.

Takimi me organizatorët, ligjëruesin dhe pjesëmarrësit e tjerë nga rajoni ishte një përvojë e vyer për mua. Trajnimi dyjavor online ishte interaktiv, argëtues, edukativ dhe frymëzues. Në fillim, trajneri, Matt Robinson na kujtoi për parimet bazike të strukturës së lajmeve, si të përdoren citatet nga të intervistuarit. U sfiduam nga ligjëruesi çdo ditë. Ishte një mënyrë për ta njohur njëri-tjetrin, për të punuar së bashku dhe për të zgjidhur pengesat që lidhen me gazetarinë në punën tonë. Matt na kujtoi çdo ditë se puna e gazetarëve është në shërbim të publikut dhe se sa e rëndësishme është t’u përmbahemi rregullave etike të gazetarisë si profesion. Gjithmonë do t’i mbaj mend fjalët e tij: “Puna juaj është të pyesni!”

Isha e habitur dhe e kënaqur se sa me entuziazëm iu  qasen këtij projekti kolegët e mi nga rajoni. U ndjeva si pjesë e një ekipi, si pjesë e një redaksie që bën një nga punët më të përgjegjshme këto ditë.

Trajnimi më ndihmoi shumë për atë që pasoi, një praktikë katër mujore në Qendrën për gazetari investigative të Serbisë (CINS). Mentori im është Vladimir Kostić, redaktor i lajmeve të shpejta në CINS. Do të thotë shumë për mua kur e ndjej se ata me vetëmohim më japin njohuri, solidaritet, kolegialitet, mirëkuptim dhe më e rëndësishmja – profesionalizëm. Mentori im më ka përgatitur disa trajnime për mua që të çoj përpara atë që mësuam në dy javët e para; po i avancoj njohuritë e mia sepse është qenësore të vazhdosh të mësosh gjëra të reja. Për fillim, ishte e mirë për mua të kuptoj se se funksionon dhoma e lajmeve, ku unë punoj si praktikante, dhe cilat janë rregullat e saj. Mësova nga mentori dhe kolegët se si të paraqes në mënyrë grafike atë që po trajtoj, si ta përdor në mënyrën më të mirë të mundshme funksionin e kërkimit të avancuar në internet dhe si ta përdor Word Press për të publikuar lajmet, si t’i shkruaj një kërkesë një institucioni për të parë dokumentet dhe ç’është më e rëndësishmja për sigurinë e gazetarëve.

Detyra ime e parë në dhomën e lajmeve ishte të shkruaja storien time të parë. Këshilla dhe mbështetja e mentorëve dhe e kolegëve të tjerë më ndihmoi shumë që ta informoj audiencën duke e shkruar një artikull objektiv. Me këta hapa të parë në CINS, besoj se do të bëj shumë progres dhe do të mësoj shumë deri në fund të praktikës. Kjo praktikë më është e çmuar dhe e rëndësishme për të vazhduar karrierën time.

Më vjen mirë se ka të tillë që e njohin potencialin e të rinjve dhe mendojnë se asnjëherë nuk është gabim të investohet në ta për një shoqëri më të mirë që do t’i ushqej dhe do të luftojë për vlerat siç janë liria, barazia, drejtësia dhe e vërteta.

Motivi im bazë është ta realizojë ëndrrën time dhe të jem një gazetare e paanshme dhe objektive, që punon në interes të publikut, duke respektuar normat etike të profesionit. Programi Media for All më ka mundësuar të punoj për të dhe të jem një hap më afër qëllimit tim.”