Duke qenë kompania mediatike më e besueshme dhe më e qëndrueshme që nga viti 1990, KOHA vitet e fundit është përballur me një treg gjithnjë e më agresiv, i karakterizuar nga konkurrenca e pandershme. Ruajtja e pavarësisë editoriale dhe përpjekja për të mbrojtur dhe respektuar parimet themelore të drejtësisë, raportimit të saktë dhe të konfirmuar, ka qenë një sfidë e jashtëzakonshme, sidomos pas pandemisë së koronavirusit. Nëpërmjet programit Western Balkans Media for Change dhe mbështetjes së tij, ne pamë një mundësi për të zgjeruar raportimin tonë të vazhdueshëm mbi komunitetet e papërfaqësuara dhe për të zbatuar nismën tonë “Dëgjonani!”, duke i kushtuar më shumë vëmendje komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe të rinjve, grave dhe të moshuarve.
KOHA përfitoi qasje dhe njohuri të vlefshme mbi përdorimin e Mjetit të Raportimit nga Qytetarët e Angazhuar (Engaged Citizens Reporting – ECR), i cili na mundësoi të kuptojmë më shumë nga komunitetet e papërfaqësuara dhe të raportojmë storie që kanë pasur ndikim në jetën e tyre të përditshme dhe përfaqësimin e tyre. Raportimi i storieve për komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian ishte shumë sfidues për shkak të qasjes së kufizuar që këto komunitete kishin ndaj pyetësorëve që kishim përgatitur. Me ndihmën e OJQ-së partnere në zbatimin e nismës sonë, ne e kapërcyem këtë pengesë dhe mundëm të siguronim më shumë njohuri mbi problemet e tyre me papunësinë. Në të njëjtën mënyrë, bashkëpunuam me dy OJQ të tjera me të cilat kemi një Memorandum Mirëkuptimi brenda nismës sonë, duke mbuluar storie mbi çështjet e të rinjve dhe diskriminimin ndaj grave ku një ndër temat e spikatura ishte për të drejtat e pronësisë.
Ka shumë storie të mbuluara nga KOHA në kuadër të nismës “Dëgjonani!” për të cilat jemi krenarë dhe që kanë bërë diferencën. Një nga këto është storia për të moshuarit (65+) që detyrohen të paguajnë për operacionet dhe implantet e protezave të kërdhokullës në spitale publike, ndërkohë që pacientët më të rinj marrin këtë shërbim falas. Kjo storie nxiti Avokatin e Popullit të hetojë këtë diskriminim ndaj një pjese të popullsisë.
Një tjetër storie e rëndësishme ishte për vështirësitë që përjetojnë të rinjtë me aftësi të kufizuara në lidhje me qasjen në arsim, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të asistentëve personalë për t’i shoqëruar në klasa dhe për t’i ndihmuar gjatë procesit mësimor. Pas publikimit të stories së KOHËS, Ministria e Arsimit, pas vendimit të Qeverisë, rriti numrin e asistentëve – duke buxhetuar paga për 500 asistentë për studentët me aftësi të kufizuara.
Arsimi mbeti gjithashtu një nga çështjet më “të nxehta” për shkak të problemeve serioze që hasin komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Numri i lartë i nxënësve që braktisin shkollën për shkak të varfërisë, për të cilin raportuam, nxiti institucionet të ndajnë 500 bursa për fëmijët nga këto komunitete. Për të njëjtat arsye, jo më shumë se 145 studentë nga këto komunitete janë aktualisht të regjistruar në studime universitare. Pas publikimit të storieve tona, institucionet ndanë bursa, hapën një Qendër Burimore për Studentët dhe nisën një program për mbështetje shtesë.
Një storie tjetër e shquar ishte për rritjen alarmante të incidenteve rreth shkollave, ku përdoren armë zjarri dhe të ftohta. Pas publikimit të stories, Policia ndërmori disa kontrolle rreth shkollave dhe konfiskoi thika dhe armë të tjera të ftohta.
Ne patëm një bashkëpunim të shkëlqyer me Western Balkans Media for Change gjatë gjithë projektit dhe përfituam gjithashtu nga punëtoritë e organizuara nga partnerët zbatues të Programit. Ekipi ynë mësoi si të përdorë Mjetin ECR dhe të krijojë thirrje/pyetësorë për të angazhuar qytetarët, dhe gjithashtu përfitoi shumë nga punëtoritë mbi Vizualizimin e të Dhënave, përdorimin e Inteligjencës Artificiale në redaksi dhe automatizimin me mjete të ndryshme të AI-së.
Mbi të gjitha, mbështetja nga Programina dha një mundësi të shkëlqyer për t’u afruar me komunitetet që kanë nevojë për përfaqësim dhe për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Për më tepër, na mundësoi të ndajmë rrëfimet e tyre me audiencën dhe të nxisim reagimin e institucioneve dhe shoqërisë.
Redaksia KOHA