I realizuar në partneritet me institucionet arsimore përkatëse të secilit vend, programi ka për qëllim të pajisë nxënësit e moshës 10 -15 vjeç me aftësi të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve. Krahas mësimit të aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve, fëmijët do të mësojnë aftësi praktike të programimit dhe do të kenë mundësi t’i praktikojnë aftësitë e tyre përmes informatikës fizike.

Si pjesë e programit, secilës shkollë në Ballkanin Perëndimor do t’i sigurohet një numër pajisjesh mikrobit - kompjuter në madhësinë e një xhepi ku fëmijët mund të programojnë dhe t’i përdorin në lëndë të ndryshme për të zgjidhur probleme të përditshme. Pajisja u mundëson nxënësve të mësojnë në mënyrë argëtuese, interaktive dhe inovative.

Për të qenë konkurrues në tregun global të punës, aftësitë si zgjidhja e problemeve, mendimi kritik, njohuritë dixhitale dhe kreativiteti janë të rëndësishme për të arritur sukses.

Studimi nga kompania ''IPSOS Strategic Marketing''

Në vitin 2018, studimi iu ngarkua kompanisë  "IPSOS Strategic Marketing",  si pjesë e projektit Shkollat e Shekullit 21 të Këshillit Britanik në Ballkanin Perëndimor. Raporti tregoi se:

  •  86% e mësuesve besojnë se mikrobit-i është i dobishëm për mësimin e kurrikulës
  • 90% e mësuesve besojnë se mikrobit-i do të frymëzojë nxënësit rreth informatikës dhe kodimit  jashtë klasës
  • 93% e mësuesve mendojnë se mikrobit-i do të ishte frymëzues për nxënësit në klasë
  • 100% e mësuesve mendojnë se është mjet i dobishëm për mësim.

Po ashtu sipas raportit, mësuesit besojnë se aktivitetet me pajisjet mikrobit kanë përmirësuar socializimin e fëmijëve me njëri-tjetrin, si dhe kanë “shtuar shkëmbimin e njohurive ndërmjet tyre” dhe “përmirësuar bashkëpunimin dhe komunikimin e ndërsjelltë me mësuesit e tjerë”. Mësuesit ishin të kënaqur të shihnin se si nxënësit që zakonisht nuk shprehin interesim dhe nuk përfshihen në aktivitete në klasë, ishin të parët që u angazhuan me mikrobit-in. U tha se disa nxënës shfaqën “potenciale krejtësisht të reja, duke dëshmuar se gjithçka u duhej ishte një qasje ndryshe". 

Rezultatet e projektit pilot çuan në një program shumë më të gjerë se Shkollat e Shekullit 21, i cili gjatë tre viteve do t’ju ofrojë një milion nxënësve të moshës 10-15 vjeç në Ballkanin Perëndimor aftësitë që u duhen për një të ardhme të ndritshme.