Mikrobiti është kompjuter në përmasat e xhepit që kodohet, i krijuar në MB për të ndihmuar fëmijët e shkollave fillore që të mësojnë kodimin, mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve.

Ky kompjuter i vogël por i fuqishëm, përmban  procesor, sensorë akselerometri dhe magnetometri, Bluetooth dhe lidhje me USB, një ekran me 25 LED, dy butona që programohen dhe mund të mbushet me rrymë përmes USB-së ose baterisë së jashtme. Ka dy butona që programohen e që mund të përdoren për të kontrolluar lojërat ose për të ndalur apo kapërcyer këngët në një listë këngësh.

BBC-ja dhe 25 partnerë të tjerë, përfshirë Këshillin Britanik, e kanë dizajnuar këtë pajisje për t’ju ofruar fëmijëve një njoftim tërheqës dhe interaktiv me kodimin dhe për t’ia dhënë kontrollin e teknologjisë një gjenerate të re që prej vitit 2016. Sot, mikrobiti përdoret gjerësisht në shkolla në mbarë botën, që nga MB-ja, Finlanda dhe Islanda te Singapori e Sri Lanka, dhe tani edhe në Ballkanin Perëndimor.

Përmes pajisjes mikrobit, nxënësit mund të punojnë së bashku për të zgjidhur problemet e përditshme dhe të ndjejnë rezultatet e punës së tyre, ndjenjë e cila të jep sensin e arritjes dhe është shpërblyese për ta. Po ashtu i motivon për angazhim të mëtejshëm në mësime dhe studime, e kjo nxit interesin për inovacion dhe sipërmarrje tek të rinjtë. Problemet që nxënësit duan të zgjidhin me anë të mikrobitit mund të jenë të shumëllojshme: nga krijimi i detektorëve të thjeshtë të tymit te zgjidhja e problemeve me të vërtetë komplekse që i rrethojnë ata, si reduktimi i emetimit të dioksidit të karbonit.