Mendimi kritik 

Mendimi kritik përfshin një mori aftësish komplekse që lidhen në një nivel më të lartë të të menduarit. Është mendim i pavarur që sjell ide të reja e inovative dhe zgjidhjen e problemeve. Kjo nënkupton reflektimin në mënyrë kritike për përvojat e proceset e nxënies, dhe marrjen e vendimeve efektive duke shmangur pengesat e zakonshme, si për shembull shqyrtimin e njëanshëm të çështjes, vënien në dyshim të dëshmive që nuk përputhen me idetë tuaja, arsyetimin me pasion e jo logjikë dhe mosmbështetjen e deklaratave me dëshmi.

Në formën e tij më të mirë, ai bazohet në vlera intelektuale universale që shkojnë përtej ndarjeve sipas lëndëve: qartësi, saktësi, precizion, konsistencë, relevancë, dëshmi të arsyeshme, arsye të forta, thellësi, gjerësi dhe paanësi.

Zgjidhja e problemeve

Zgjidhja e problemeve është proces mendor që përfshin aftësinë për të analizuar dhe gjetur zgjidhjen më të mirë për problemin. Ajo përshkruan procesin kur një qëllim pengohet për ndonjë arsye, si mungesa e burimeve, mungesa e informacioneve e kështu me radhë, e që paraqet problem. Çfarëdo që ndërmerret për arritjen e qëllimit të caktuar përbën zgjidhjen e problemit. 

Ka probleme të zakonshme dhe të pazakonshme. Problemet e zakonshme mund të zgjidhen duke përdorur metoda që nxënësit i njohin dhe duke i përsëritur hap pas hapi metodat e mësuara më parë. Problemet e pazakonshme janë probleme për ‘të cilat nuk ka qasje ose mënyrë të përdorur më parë, të aplikuar me sukses ose të sugjeruar nga detyra, udhëzimet e detyrës ose ndonjë shembull të zgjidhur ’. Secilit i duhen aftësitë e zgjidhjes së problemeve në jetën e përditshme. Ato janë një grup aftësish të cilat, përveç atyre konjtive, përfshijnë aftësitë sociale dhe të tjera, duke na ndihmuar të gjejmë shkaqet e problemit dhe zgjidhjet efikase. Për të zgjidhur problemet ne përdorim mendimin kritik dhe kreativ. 

Përfitimet e përvetësimit të aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve

Përfitimet e mendimit kritik

  • Mendimi kritik përmirëson fleksibilitetin e nxënësve dhe aftësitë e tyre për të mësuar. Ne nuk e dimë si do të ndryshojë teknologjia deri në kohën kur të rinjtë ta kenë përfunduar shkollën. Përvetësimi i aftësive të mendimit kritik dhe zgjidhjes problemore do t’i përgatitë ata të mësojnë dhe përshtaten më shpejt dhe të jenë në rrjedhë me ndryshimet në fushën e tyre të studimit, cilado të jetë ajo.
  • Mendimi kritik e bën mësimin më pak pasiv dhe më shumë interaktiv. Mësimi i nxënësve si t’i qasen në mënyrë kritike secilës lëndë e bën atë më relevante për ta. I ndihmon ata të kuptojnë më mirë dhe të përfshihen më shumë me lëndën dhe rëndësinë e saj në jetën e tyre, duke i bërë të ndihen pjesëmarrës aktivë.
  • Aftësitë e mendimit kritik dhe zgjidhjes problemore e rrisin performancën akademike. Në vend që të mbështeten tek mësuesit dhe klasa për udhëzime dhe orientim, nxënësit me aftësi të mendimit kritik  bëhen më të pavarur dhe orientohen vetë.
  • Mendimi kritik është baza për shkencën dhe një shoqëri demokratike liberale. Shkenca kërkon përdorimin kritik të arsyes gjatë eksperimentimit dhe konfirmimit të teorisë. Që një demokraci liberale të funksionojë siç duhet, qytetarët duhet të kenë aftësi të mendojnë në mënyrë kritike për çështjet sociale për të mbështetur mendimet e tyre rreth qeverisjes së mirë dhe për të tejkaluar njëanshmëritë dhe paragjykimet.

Përfitimet e përvetësimit të zgjidhjes së problemeve

  • Nxënësit përfitojnë aftësi për të reflektuar në mënyrë kritike për përvojat e proceset e nxënies dhe për të marrë vendime efektive
  • Ndërsa zgjidhin probleme, ata përvetësojnë edhe aftësi të tjera, si kreativiteti dhe bashkëpunimi
  • Mendimi kritik lejon që të dallohen faktet nga opinionet dhe ndihmon të shqyrtohen të gjitha alternativat e mundshme për zgjidhjen e një problemi
  • Nxënësit po përgatiten për punë që ende nuk ekzistojnë. Mjedisi i punës po ndryshon shpejt dhe thjesht nuk e dimë se cilat nga punët do të vazhdojnë të ekzistojnë edhe në të ardhmen dhe aq më pak çfarë do të kërkohet për to. Punëtorët ka gjasa të zgjidhen në bazë të aftësisë së tyre për të mësuar shpejt, përshtatjes dhe punës së pavarur, si dhe zgjidhjes vetë të problemeve.