Si pjesë e programit tonë 'Shkollat e Shekullit 21' të Këshillit Britanik, ne po organizojmë një seri uebinaresh, të cilat do t'ju ndihmojnë të lidheni me kolegë nga Shqipëria dhe Kosova dhe të ndani përvojën tuaj.

Më 30 Qershor 2020, nga ora 15.00 - 16.00 ne do të organizojmë një seancë të drejtpërdrejtë (live) me temë: "Të bërit e pyetjeve të nivelit të lartë (për të menduarit e thellë) në klasë. 

Të bërit e pyetjeve janë mjeti më i mirë për të nxitur të menduarit në klasë. Të bërit e pyetjeve të nivelit të lartë mundëson thellimin e të menduarit te nxënësit, nxitjen e imagjinatës dhe kreativitetit. Klasa ku përdoren këto lloj pyetjesh vlon nga diskutimi i frytshëm dhe sjell ide krijuese. Prandaj është shumë e rëndësishme që mësimdhënësit të demonstrojnë aftësi të të bërit të pyetjeve të thella. Për më tepër, ata në klasat e tyre duhet ta krijojnë terenin e përshtatshëm që vetë nxënësit  t'i praktikojnë pyetjet e nivelit të lartë. Kështu ata do të mësohen të dalin me zgjidhje kreative në situatat e ndryshme jetësore.

Në pjesën e parë të sesionit do të ketë një prezantim konceptual të pyetjeve të niveleve të ndryshme, të lidhura me nivelet e të menduarit. Më pas, me pjesëmarrrësit do të ndahet një model i përdorimit të pyetjeve të nivelit të lartë në trajtimin e një teme mësimore. Pjesëmarrësve do t'u ofrohet mundësi të ndajnë idetë dhe përvojat e tyre për nivelet e ndryshme të pyetjeve. Po ashtu, ata do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje rreth temës, pra pyetje rreth pyetjeve.

SHIHNI MË POSHTË UEBINARIN E REGJISTRUAR, MËSONI MË SHUMË RRETH FOLËSEVE DHE SHIHNI MATERIALET SHTESË

Moderatorja Majlinda Mazelliu

Moderatorja Majlinda Mazelliu - Koordinatore Kombëtare per Kosoven per Projektin 'Shkollat e Shekullit 21', Këshilli Britanik i Kosovës. Majlinda është përgjegjëse për menaxhimin e të gjitha hapave të zbatimit të Projektit 'Shkollat ​​e Shekullit 21' në Kosovë.

Veton Sylhasi

Veton Sylhasi për shumë vjet është i angazhuar me projekte në fushën e arsimit. Ai mban diplomë Masteri në fushën e menaxhimit në arsim. Për kohë të gjatë ka punuar me Qendrën për Arsim e Kosovës (KEC). Aktualisht punon me Qendrën IPE të Universitetit të Cyrihut për Edukimin e Mësimdhënësve, dhe menaxhon një projekt në fushën e zhvillimit demokratik të shkollave. Është i angazhuar si trajner në programe të ndryshme të zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave.

Alida Thaçi

Alida Thaçi për shumë vjet është e angazhuar në projekte të ndryshme në fushën e arsimit. Për disa vite ka punuar në Qendrën për Arsim të Kosovës (KEC). Aktualisht punon si mësimdhënëse në shkollën 'Mileniumi i Tretë' në Prishtinë. Është e angazhuar si trajnere në programe të ndryshme të zhvillimit profesional të mësidhmënësve, si dhe në hartimin e moduleve të ndryshme të trajnimit. 

MATERIALE SHTESË NGA UEBINARI

Këtu dhe këtu mund të gjeni prezantimin nga folëset tona Veton Sylhasi dhe Alida Thaçi.