Kur para ca vitesh më pat rënë në dorë një artikull për BBC micro:bit, menjëherë m’u pat kujtuar një projekt i viteve ’80 i quajtur BBC Micro që atë kohë pat bërë revolucion jo vetëm nëpër shkollat e Mbretërisë së Bashkuar, por edhe ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në krijimin e më pas rritjen e komunitetit të programuesve në mbarë botën.
Ndonëse mikrokompjuteri im i parë ka qenë ZX Spectrum (prapë produkt i UK!), gjithnjë kam ëndërruar ta kem një BBC B që për atë kohë llogaritej si më i miri i kategorisë së vet, veçanërisht aty ku kërkoheshin llogaritje të shpejta matematikore.
Me kalimin e viteve, primatin e fituan IBM PC kompjuterët dhe sistemet operativ DOS e pastaj Windows, duke nga larguar gjithnjë e më tepër nga ajo ndjenja pothuajse magjike e programimit në gjuhën BASIC, gjuhë programore e cila ka qenë abetarja e të gjithë entuziastëve të asaj kohe. Në ndërkohë, teknologjia e IT ka pësuar rritje dhe zhvillim të jashtëzakonshëm e veçanërisht prej shfaqjes së Internetit, më specifikisht të World Wide Web.
BBC micro:bit
Me gjithë zhvillimin kolosal si në aspektin harduerik po ashtu edhe në atë softuerik gjatë dekadave të fundit, gjithnjë e më tepër është krijuar një zbrazëti në ofertën për ata më të rinjtë të cilët do të donin t’i bënin hapat e parë në programim me diçka atraktive për moshën e tyre të re e të mos jetë diç me kosto marramendëse.
BBC micro:bit synon që ta plotësojë pikërisht këtë zbrazëtirë, duke ofruar teknologji bashkëkohore e njëkohësisht të thjeshtë, duke mos e injoruar nevojën e programuesve fillestarë për të realizuar projekte interesante, siç janë ato që mund të shërbehen me senzorë të temperaturës, senzorë të dritës, akcelerometra, radio pranues, LED displej, butona, etj.
Mbi 20 milionë fëmijë aktualisht në gjithë botën njihen me hapat e parë të programimit nëpërmes BBC micro:bit. Sigurisht që edhe në shkollat tona kjo pajisje do të ketë impakt pozitiv në përgatitjen e gjeneratave të reja në përvetësimin e njohurive nga lëmia e IT, profesion për të cilin kërkesat janë në rritje të vazhdueshme si në tregun e brendshëm, po ashtu edhe në atë të jashtëm.
Programimi zhvillon aftësitë e fëmijëve në zgjidhjen e problemeve bazuar në logjikë dhe rregulla të paracaktuara por edhe kreativitet dhe imagjinatë, gjë që nuk i bën vetëm programues të ardhshëm të mirë por edhe iu ndihmon më pas të bëhen zgjidhës problemesh në të gjitha aspektet e jetës.
Kurrë nuk është tepër heret për të filluar me mësimin e programimit, vetëm duhet që moshave të caktuara t’u ofrohet teknologjia përkatëse konform moshës së tyre, gjë të cilën BBC micro:bit e plotëson në tërësi për grupmoshat 10-15 vjeç. Pikërisht në këtë moshë lind kërshëria për t’i mësuar gjërat e reja, ku deri në maksimum vie në shprehje inteligjenca dhe kreativiteti i fëmijëve, që më pas në një moshë më të rritur ata të jenë të përgatitur për sfida më serioze e më komplekse.
Ndonëse si pajisje është me përmasa të vogla, vlen të theksohet se në të realizohen projekte interesante siç janë ato që kanë të bëjnë me: mbrojtjen e ambientit, përcjelljen e ndryshimeve klimatike, gjurmimin e lëvizjeve të kafshëve, përcjelljen e parametrave vitalë, sistemet e monitorimit siç është p.sh. përcjellja e rritjes së bimëve në kushtet e Stacionit Ndërkombëtar Hapësinor, etj.
Përvoja e ICK
Në Innovation Centre Kosovo, që prej themelimit në vitin 2012 i është kushtuar rëndësi aktiviteteve që kanë të bëjnë në afrimin e fëmijëve dhe të rinjve në lëminë e programimit, por edhe në përgjithësi – të gjetjes së zgjidhjeve harduerike e softuerike për probleme konkrete. Gjithashtu i është kushtuar rëndësi edhe zhvillimit të shpirtit ndërmarrës tek të rinjtë, duke i përgatitur me njohuri dhe shkathtësi të nevojshme për t’u pozionuar mirë edhe në tregun ndërkombëtar të punës dhe inovacioneve. Kjo është realizuar nëpërmes kurseve, organizimit të punëtorive, ndjekjes së seminareve e panaireve ndërkombëtare, të garave deri në ato të NASA-s, ku janë arritur suksese respektabile në nivel global.
Ajo që në asnjë mënyrë nuk guxon të anashkalohet është pjesëmarrja e vajzave në aktivitetet e cekura dhe ne si ICK mund të krenohemi me talentet që hapat e parë i kanë bërë tek ne, ndërsa sot janë të angazhuara si profesioniste duke u ofruar firmave të shumta perëndimore shërbime profesionale të programimit dhe dizajnit.
Perspektiva
Aktualisht, në tregun ndërkombëtar, krahas kërkesës së shtuar për programues, gjithashtu është në rritje edhe kërkesa për ekpertë të lëmive plotësisht të reja që nuk kanë ekzistuar më parë, siç janë: mësimi makinerik, shkencat e të dhënave, inteligjencë artificiale, teknologjinë financiare, të parit kompjuterik, etj.
Mendoj se softueri do të jetë eksporti më fitimprurës për Kosovën meqë zhvillimi i tij nuk kërkon investime kapitale as infrastrukturë të dedikuar, nuk konsumon asgjë përveç energjisë elektrike, lehtë mund të distribuohet fare pa shpenzime dhe ajo më kryesorja: ne kemi të rinj që vetëm kanë nevojë për përkrahje në përvetësimin e diturive. Më tutje, do të dijnë të ecin vetë.
Tahir Hoxha
Trajnues i zhvillimit të Web aplikacioneve