Sipas platformës së statistikave “Statista”, rreth 4.66 miliardë njerëz kanë qasje në internet, që nënkupton 59% e popullsisë në botë.

Sipas të dhënave të hulumtimit “Internet Penetration and usage in Kosovo” nga STIKK, në Kosovë, kjo përqindje rritet në 96%. Nga kjo kuptohet se Kosova ka më shumë qasje në internet, informacione e ndër të tjera komunikim, se sa në ujë të pijshëm, ku kanë qasje vetëm 86.31% e popullsisë së Kosovës (Agjencia e statistikave të Kosovës). Këto statistika tregojnë që mundësitë për punë, edukim e zhvillim të karrierës janë të mëdha.

Një fëmijë i moshës 13 vjeçare përdor mediat sociale mesatarisht 6 orë në ditë, bazuar në artikullin e publikuar në platformën “Praxis”. Duke ndjekur këtë trend, në moshën 17-18 vjeçare ata mund të arrijnë në rreth 10 mijë orë përdorim të mediave sociale. Psikologu dhe autori i njohur, Malcom Gladwell në librin “Outliers” thotë që 10,000 orë pune të bën ekspert të një fushe. Pra, edhe pse kjo kohë e shpenzuar në media sociale nuk lidhet medomos me karrierë; e gjithë kjo kohë e dedikuar ndikon në zhvillimin e shumë aftësive të nevojshme për tregun e punës si aftësitë analitike, kreativiteti, krijimi dhe vlerësimi i informacionit, mendimi kritik, aftësia për zgjidhje të problemeve e shumë të tjera. Përveç mediave sociale, meritë kanë edhe videolojërat të cilat ndikojnë të zhvillohet mendimi strategjik, puna ekipore, komunikimi dhe menaxhimi i financave.

Koha e kaluar në internet, për aq sa është e moderuar, nuk është arsye për t’u shqetësuar, pasiqë të gjitha aftësitë e nevojshme për një vend pune që janë pjesë kyçe për zhvillim të karrierës, po mësohen në një mënyrë apo tjetrën. Prandaj, është në dorën e prindërve dhe mësuesve të gjejnë mënyra inovative për t’u siguruar që fëmijët zhvillojnë afësitë e tyre përderisa zbaviten. Kjo rritje e përdorimit të internetit, mediave sociale dhe automatizimit të punës ka ndyshuar plotësisht listën e profesioneve më të kërkuara dhe më të paguara në treg. Elon Musk (i njohur si inovator, krijues i kompanisë ‘Tesla Motors’, ‘PayPal’ e ‘Space X’) kur u pyet se çka do të punonte nëse do të ishte 22 vjeç, ai ishte përgjigjur se të studionte AI (Inteligjencën Artificiale), që konsiderohet një prej karrierave të së ardhmes.

Inteligjenca Artificiale synon të krijojë makineri të ndryshme që imitojnë inteligjencën njerëzore, duke pasur qëllim kryesor të mësuarit, racionalizimin dhe perceptimin. Si një profesion i cili jo shumë vite me parë ishte konsideruar si profesion futuristik dhe gjithashtu fiktiv, tani është një ndër fushat më të kërkuara në botën e teknologjisë digjitale e cila është në zhvillim e sipër. Sipas “Investopedia”, të ardhme të ndritur dhe rritje inkrementale në industri kanë “Data Scientists” përkthyer fjalë për fjalë si shkencëtarë të të dhënave, që kanë për detyrë mbledhjen e të dhënave të strukturuara dhe të pa strukturuara ku analizojnë, përpunojnë dhe intepretojnë ato për planifikim e implementim të strategjive. Karrierat e së ardhmes i takojnë këtyre fushave: programim, dizajnim dhe zhvillim të web-it, zhvillimi i softwareevë, kibernetikë, marketing digjital dhe ecommerce.

Një trend i rëndësishëm është përfshirja e jashtëzakonshme e vajzave në fushën e programimit dhe IT-së, që dëshmon se profesionet nuk janë të bazuara në gjini. Një storie e suksesit është Whitney Wolfe Herd, e cila është bërë një ndër të paktat gra miliardere. Në vitin 2014 ajo krijoi aplikacionin “Bumble”, aplikacion që u bë i famshëm për faktin që është një “dating app” i udhëhequr nga një grua si dhe që diferencohet nga të tjerët sepse i jep kurajo dhe vetëbesim grave të marrin hapin e parë në raporte dashurie, gjë që sfidon mendimet tradicionale dhe tabutë. Steve Jobs krijuesi i APPLE ka deklaruar që të gjithë duhet të mësojnë se si të programojnë, sepse kjo ju mëson se si të mendoni.

Nuk është asnjëherë vonë të mësohet programimi; sa më herët, aq më mirë. Plan programe të ndryshme mundësojnë zhvillimin e aftësive programuese qysh në moshë të hershme. Një storie interesante në botën e programimit është ajo e Muhammad Hamza Shahzad; programerit 9 vjeçar me prejardhje nga Britania e Madhe. I talentuar dhe pasionant për programim, ai filloi të ushqejë pasionin e tij prej moshës 6 vjeçare. Muhammad është certifikuar me “Microsoft Coding Certificate”. Sipas planprogramit të Shkollës Digjitale, fëmijët fillojnë mësimet bazike të programimit prej moshës 7 vjeçare.

JUST DO IT. Programi tre-vjeçar rajonal “Shkollat e Shekullit 21”, i zbatuar nga Këshilli Britanik (British Council) dhe i financuar nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar, është i pranishëm në çdo shkollë fillore në rajon dhe do të mësojë deri në një milion nxënës mbi aftësitë e nevojshme për profesionet e së ardhmes.