Të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve janë nocione shumë aktuale në shkollat e shekullit 21, të cilat përbëjnë disa nga qëllimet kryesore në kontekstin e edukimit shkollor por edhe edukimit të përgjithshëm.

Të menduarit kritik është aftësia e analizës dhe vlerësimit të fakteve rreth një aspekti të caktuar që kontribuon në formimin e një mendimi apo qëndrimi rreth atij aspekti. Ndërtimi i aftësive të tilla tashmë është objektiv formal mësimi dhe pjesë e kurrikulave shkollore e pothuajse të gjithë mësuesve dhe profesorëve në të gjitha nivelet e arsimit edhe në Republikën e Kosovës por edhe në botë. Mësuesit më të vjetër, pothuajse të gjithë janë trajnuar nga organizata të ndryshme për të menduarit kritik, ndërsa ata që janë më të ri kanë mësuar këto koncepte edhe gjatë edukimit të tyre formal. Por, duke qene se në praktikën shkollore hulumtimi, debatet apo forma të ngjajshme të mësimnxënies gjejnë aplikim të kufizuar, mbetet ende një pyetje e hapur se sa arrihet që të zhvillohet të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve tek të rinjtë tanë në procesin mësimor. 

Industritë botërore tashmë janë duke kërkuar që zhvillohen mëtutje nëpërmjet identifikimit të potencialeve të reja, si për lëndët e tyre të para, po ashtu nëpërmjet përmirësimit të produkteve, zgjidhjeve kreative teknologjike e mënyrave të reja të komunikimit. Padyshim që, industritë e sotme kanë arritur një shkallë të lartë të zhvillimit prandaj avancimi i tyre mund të vije vetëm nga inovacioni dhe jo nga evlucioni normal i zhvillimit të tyre. Të menduarit kritik është mënyra më efektive e zgjidhjeve të problemeve që këto industri mund ta hasin por edhe mundësi për zbulime të reja në fusha të ndryshme. Prandaj, të menduarit kritik shërben që nxënësit/studentët të mësojnë nga vet procesi i të nxënit duke pasur mundësi të sfidojnë të gjithë procesin dhe jo vetëm të fokusohen më mësimin e rezultateve të gatshme dhe njohurive ekzistuese që tashmë gjinden në literaturë.

Normalisht, të menduarit kritik si koncept i ri, pothuajse rreth 20 vjecarë në vendin tonë, kërkon një qasje të re, tjetër nga ajo e fokusit vetëm në të mësuar foromal. Të menduarit dhe kritika gjatë procesit të mësimit shërbejnë shumë për të arritur rezultatet më të mira dhe për të kompletuar profilin e një nxënësi/studenti në vazhdimësi. 

Të menduarit kritik si një aftësi për të menduar qartë dhe në mënyrë racionale si edhe për të kuptuar dhe lidhur në mënyrë logjike idetë, është vecmas i domosdoshëm në fushën e teknologjisë informative.

Teknologjia informative tashmë nuk është vetëm ndihmuese në procese të ndryshme industriale, ajo është vet industria. Në një renditje të aftësive të reja dhe vendeve të punës, të përgatitur nga portali i njohur indeed.com, aftësitë kryesore të kërkuara tani në botë renditen simposhtë: të dhënat kompjuterike në hapsirë (cloud computing), inteligjenca artificiale, lidershipi i shitjeve, analizimi, përkthimi, zhvillimi i aplikacioneve mobile, menaxhimi i njerëzve, produksioni i videove dhe audioproduksioni, blockchain, kreativiteti, etj. Nga një listë prej 20 aftësive të domosdoshme për të ardhmen, mbi gjysma e tyre janë drejtpërdrejtë pjesë e fushës së teknologjisë informative, derisa edhe gjysma tjetër e tyre përfshinë në mënyrë aktive përdorimin e teknologjisë informative.

Zhvillimi i teknologjisë i hovshëm dhe imponimi i saj si pjesë e jetës së përditshme ka mundësuar që, paragjykimet që kanë ekzistuar sidomos gjatë shekullit 20, se inxhinieria dhe teknologjia i takojnë më shumë botës mashkullore tashmë kanë mbetur vetëm pjesë e historisë. Numri i vajzave dhe djemve që mësojnë kodim dhe programim është pothuajse identik në moshat e reja edhe në Republikën e Kosovës. Përvojat edhe personale të ekipit tonë në Open Data Kosovo, ku 3 udhëheqëse kanë arritur të futen edhe në listën e gazetës prestigjoze Forbes 30 Under 30, tregon se në këtë fushë gjinia nuk është përparësi apo mangësi. Thjeshtë ju duhet vizioni, një kompjuter dhe filloni punën, qoftë duke mësuar kodimin online apo duke u bërë pjesë e kurseve të shumta që ekzistojnë tanimë në Kosovë. 

Natyrisht të gjitha këto aftësi të avancuara vijnë në shprehje, pas shkrimit dhe leximit dhe njohurive tjera elementare, por që të gjitha këto kërkojnë një qasje kreative të të menduarit kritik, përkundër, mësimit memorizues tradicional që ka pasur për qëllim mbajtjen mend të shumë rezultateve pa një fokus të madh në vet procesin se si kemi ardhur te rezultati.

Teknologjia e informacionit ka ndryshuar gjithcka në funksionimin tonë, që nga jeta jonë personale deri tek ajo e avancuar profesionale. Tashmë shumë gjëra bëhen online, që nga blerjet dhe shitjet e zakonshme, shfletimi i gazetave dhe portaleve e deri tek njohja me njerëz. Kur shohim procese të ndryshme të komplikuara duke funksionuar online, si tregjet e stoqeve të kompanive më të mëdha botërore, ndërsa ne kemi mundësinë që me disa klikime të investojmë në to, ndonjëherë na shfaqen para nesh imazhe të programerëve kompjuterik, duke i imagjinuar ata të mbyllur në një dhomë të errët që nuk ndalen duke punuar mbi 20 orë në ditë. 

Megjithatë, lajmi qëndron në atë fakt që sot, edhe kodimi dhe programimi janë thjeshtëzuar aq shumë, saqë pothuajse çdo kush dhe në çdo kohë mund të filloj të programoj. 

Dafina Olluri

Deputy Director at Open Data Kosovo