Duke pasur parasysh rëndësinë e mentorimit si mjet për zhvillim personal dhe profesional në mbarë botën, programi Media for All e ka prezantuar skemën e parë formale të mentorimit për gratë në media në Ballkanin Perëndimor. Mentorimi është një metodë efektive e zhvillimit profesional. Inkurajon rritjen dhe motivimin, përmirëson produktivitetin dhe angazhimin, lehtëson lidhjen në mes pjesëmarrëseve, forcon komunitetin dhe identitetin kolektiv të grave, ndihmon në zgjerimin e rrjetit të kontakteve profesionale, krijon mundësi për bashkëpunim dhe këmbim të ideve dhe kontribuon në rritjen e vetëbesimit.
Qëllimi i programit të mentorimit është fuqizimi i grave në media dhe mbështetja e tyre për të zhvilluar shkathtësitë, kompetencat dhe rrjetin e tyre duke i lidhur ato me gra të tjera nga sektori që janë të gatshme të shërbejnë si kolege, mentore dhe sjellëse të ndryshimit.
Programi pilot i mentorimit u mbajt nga 24 shkurt deri më 14 prill 2021 për të eksploruar nevojën, përfitimet dhe mundësinë e prezantimit të mentorimit individual në sektorin e medias në Ballkanin Perëndimor. Pesëmbëdhjetë të mentoruara nga gjashtë vendet u bashkuan me gazetare femra me përvojë nga rajoni bazuar në nevojat dhe prioritetet e tyre për zhvillim. Duke punuar me një mentore me përvojë në media, ato mund të adresonin sfidat e mundshme dhe të ndanin njohuritë, përvojën dhe njohjet e tyre. Kjo ishte një mundësi për të mësuar, për të shtruar pyetje dhe për të parë këndvështrime të ndryshme në një mënyrë praktike me një mentore të besuar.
Gjatë periudhës gjashtë-javore, të mentoruarat u takuan me mentoret e tyre çdo javë për të punuar për qëllimet e tyre personale dhe profesionale për zhvillim, për të këmbyer njohuritë dhe shkathtësitë dhe për të eksploruar mentorimin si model zhvillimi. Ato gjithashtu morën pjesë në punëtori rajonale dhe konsultime për të këmbyer përvojat e tyre me kolegët, për të reflektuar për procesin e mentorimit dhe për t’u lidhur me njëra-tjetrën.