Nxënës, mësues dhe drejtues të shkollave dhe të institucioneve arsimore u bashkuan më 12 korrik 2021 për të festuar arritjet e programit ''Shkollat e Shekullit 21'' në shkollën "Abdyl Frashëri", në Prizren dhe për të tërhequr vëmendjen për nevojën e shkathtësive të kodimit, mendimit kritik dhe zgjidhjen e problemeve në tregun e ardhshëm të punës. Ky program po implementohet në të gjithë Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.

Z. Maxhun Krasniqi, drejtor i shkollës “Abdyl Frashëri”, tha: ”Ne kemi parë një punë të jashtëzakonshme nga nxënësit dhe mësimdhënësit tanë, të cilët kanë ndjekur këtë program. Kjo shërben si një kujtesë që programe të tilla janë thelbësore në kohën që jetojmë''. 

Inovatorët tanë të vegjël, u përballën me shumë sfida gjatë pandemisë, por ata u inkurajuan vazhdimisht që të vazhdojnë të punojnë në projektet e tyre me mikrobit pavarësisht këtyre sfidave dhe si rrjedhojë këto janë rezultatet e tyre të mahnitshme. Nxënësit e shkollës “Abdyl Frashëri” në Prizren prezantuan disa nga projektet që kanë punuar në Klubin e Kodimit, të cilat ndërlidhen me zgjidhjen e një sërë problemesh me të cilat përballet komuniteti siç janë ruajtja e ambientit, mbrojtja ndaj pandemisë COVID-19 dhe disa porojekte edukativo-argëtuese për fëmijë dhe të rritur.

Me këtë rast, z. Jacob Webber, Zëvendës Ambasadori Britanik në Kosovë tha: “Me një popullatë të re dhe qasje të lehtë në internet, zhvillimi i shkathtësive të shekullit 21 si kodimi jo vetëm që i ndihmon nxënësit të përcaktohen më së miri për karrierën e tyre në të ardhmen, por i ndihmon edhe zhvillimit ekonomik të Kosovës”.

Z. Angus Bjarnason, Drejtori i British Council në Shqipëri dhe Kosovë shtoi: ”Këto projekte të mrekullueshme të nxënësve janë arsyeja pse ne jemi kaq krenarë që punojmë me të gjitha shkollat në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, në programin ‘Shkollat e Shekullit 21’. Ne po punojmë së bashku sepse këto janë shkathtësitë që duhet të ketë çdo nxënës në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Kosovë”.

Znj. Arbërie Nagavci, Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit tha se: “Në përballje me sfidën e madhe për të përgatitur fëmijët tanë për të ardhmen, duhet të punojmë bashkërisht për të ndihmuar ata të zhvillojnë të menduarit kritik dhe krijues, bashkëpunimin dhe shkathtësitë e nevojshme për të qenë konkurent në tregun e punës. E ardhmja do të kërkoj edhe punë e profesione që akoma nuk janë krijuar. Andaj, të rinjtë tanë duhet të jenë të pajisur me shkathtësi e kompetenca edhe për këto punë, për zhvillim individual e shoqëror. Përveç se të jenë konkurent në rajon e botë, të rinjtë duhet të ndjekin zhvillimet por edhe të ju paraprijnë atyre”.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prizren, znj. Xhemile Vezgishi dhe Kryetari i Komunës së Prizrenit, z. Mytaher Haskuka, i cili ka theksuar se ndjehet krenar që shkollat e Komunës së Prizrenit janë pjesë e këtij programi dhe po punojnë që nxënësit të pajisen me “kompetencat e duhura për tregun e punës”.