Gjatë realizimit të këtij projekti, nxënësit pjesëmarrës zhvilluan tutje mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Gjatë punës vazhdimisht identifikonin mundësi për të promovuar produktin final për çfarëdo kompanie, kryetarit të kryeqytetit apo edhe institucioneve tjera për të parë mundësinë e prodhimit. Në të njejtën kohë inkurajoheshin të vazhdojnë me projektet tjera në shkollë, përfshirë nxënësit tjerë që kishin treguar interesim të madh. Për më shumë ky ishte një projekt që kishte përfshirë edhe nxënës dhe mësimdhënës të etniciteteve të ndryshme. Prandaj, u krijua një lidhje e fortë në mes të grupeve, derisa komunikohej se si të implementohej projekti në mënyrë efektive. Të gjithë kishin një qëllim të përbashkët, atë të ndihmës për grupet e margjinalizuara dhe të ndieshme, dhe për të ndihmuar lëvizjen e tyre. Prandaj, Programi Shkollat e Shek.21 në mënyrë indirekte ndikon në jetën e të gjitha grupeve të njerëzve, duke ju ofruar nxënësve dhe mësimdhënësve teknika të mjaftueshme për t’u bërë studiues, mendimtar kritik, zbulues dhe zgjidhës të problemeve. Projekti i kësaj shkolle është një dëshmi që kur trajnimi është i dobishëm dhe sigurohen mjetet e duhura për të ushtruar atë që është implementuar, atëherë imagjinata e nxënësve është pa limit dhe mund të vijnë me zgjidhje që mund të ndihmojnë në sfidat e jetës së përditshme.