Kishnareka është një fshat me madhësi mesatare, rreth 10 km nga qyteti i Drenasit, dhe rreth 40 km nga Prishtina. Shkolla në Kishnarekë është një shkollë fillore dhe e mesme e ulët, e cila përfshin gjithashtu nivelin parashkollor dhe që aktualisht akomodon rreth 375 fëmijë në procesin e të mësuarit.
Shkolla u përfshi në programin e trajnues 'Shkollat e Shekullit 21' në pranverën e vitit 2019 dhe katër mësues nga kjo shkollë u trajnuan. Menjëherë pas trajnimit shkolla nisi krijimin e Klubit të Kodimit, me pjesëmarrjen e 7-8 nxënësve të klasave të shkollës së mesme të ulët. Me këtë projekt, shkolla mori pjesë në konkursin kombëtar të kodimit dhe u rendit në vendin e dytë si projekti më interesant. Shkolla u zgjodh gjithashtu edhe sepse ka fëmijë me nevoja të veçanta (tre fëmijë) dhe një fëmijë të prekur nga situata e ulët socio-ekonomike.
Drejtori i shkollës, i cili është gjithashtu një trajner i çertifikuar i 'Shkollat e Shekullit 21', deklaroi se aktivitetet e mendimit kritik dhe zgjidhjes problemore u futën normalisht në shkollë dhe aktivitetet u zhvilluan mirë në fillim. Mësuesit të cilët u trajnuan kryesisht zbatuan aktivitetet në lëndët e tyre, por gjithashtu punuan së bashku në projektin e shkollës.
Mësuesit e intervistuar përmendën se ata mund të zbatonin disa nga teknikat e mësimdhënies si mendimi kritik dhe zgjidhja problemore në lëndët e tyre. Pema e problemit, pyetja efektive, si dhe teknika e gjashtë kapeleve në grupe ishin teknikat që u përmendën më shumë. Mësuesit përdorën gjithashtu faktet dhe mendimet dhe ushtrimin debatues për të stimuluar mendimin dhe diskutimin kritik të nxënësve. Në teknikën e fundit, fëmijët ishin më të stimuluar për të konkurruar me njëri-tjetrin për sa i përket mbështetjes së mendimeve të tyre me argumente të fakteve në procesin e të mësuarit.
Mësuesit përmendën se nxënësja që vinte nga familja me status të ulët socio-ekonomik, e cila ishte në klasën e 7-të në atë kohë, ishte mjaft e angazhuar në projektin e shkollës.
"Ajo ishte shumë e motivuar dhe u interesua për aktivitete të kodimit, pasi vazhdoi disa herë duke punuar në shtëpi."
- një mësues
Ajo u përball me disa sfida për shkak të mungesës së kompjuterit, megjithatë ndonjëherë ajo u lejua të merrte laptopin e shkollës në shtëpi për të punuar në kodim. Ajo ishte një nga nxënëset kryesore që krijonte energji në grupe për idetë dhe zhvillimin e projektit. Grupi ishte në gjendje të krijonte një instrument orientimi, një busull, i cili shtonte elementin e zërit, që mund të përdorej si udhëzues për personat e verbër.
Pjesëmarrësit e Klubit të Kodimit, si dhe fëmijët e tjerë të shkollës, ishin shumë entuziastë me këtë arritje. Padyshim që solli motivim dhe energji të mirë në procesin e të mësuarit, si dhe angazhim dhe motivim më të lartë të mësuesve për të përdorur teknikat e mendimit kritik dhe zgjidhjes problemore si dhe kodimin.